Dega e Nismës Socialdemokrate në Ferizaj ka demantuar pretendimet e drejtorit të dorëhequr të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, Bekim Ademit, se është dorëhequr nga presioni i strukturave të partisë që të kandidonte për deputet, shkruan Gazeta Sinjali.
Ademi në letrën e tij dërguar kryetarit të komunës, Agim Aliut kishte shkruar se dorëheqja kishte ardhur si rezultat i pakënaqësisë me subjektin politik të cilit i takonte, Nismës Socialdemokrate e që sipas tij kishte të bënte me trysninë për t’u bërë deputet.
“Duke pasur parasysh presionin e vazhdueshëm të zyrtarëve brenda këtij subjekti, dhe së voni edhe trysninë pa vullnetin tim të më kandidojnë për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet që do të mbahen në muajin shkurt të këtij viti, dhe mosgatishmërisë sime për të qenë pjesë e listës zgjedhore…duke mos pasur mirëkuptimin e tyre lidhur me këtë çështje, unë vendosa të mos jem pjesë e këtij procesi zgjedhor dhe për arsyet e lartcekura konsideroj që dorëheqja ime është e natyrshme”, ka shkruar Ademi në letrën e dorëheqjes.
Por, kryetari i degës së Nismës në Ferizaj, Besnik Berisha i ka hedhur poshtë këto pretendime. Ai ka thënë për Gazetën Sinjali se së paku nga ai, nuk ka pasur presion.
“Asnjë formë presioni prej anës teme nuk ka pasë. Dmth unë po flas për veten si kryetar i degës, kurrfarë presioni nuk ka pasë për me hi në listë për deputet. Për Ferizaj, të garantoj për çka të dush se askush nuk i ka bë presion”, ka thënë Berisha për Sinjalin.
Tutje ai e ka vlerësuar punën e Ademit dhe ka kërkuar që për arsyet e vërteta të dorëheqjes së Ademit, të kontaktohet me të.
“Ai të drejtën me të thanë edhe nuk ka komuniku aq me degë. Ai nuk ka pasë as bazë deleguese. Kurrfarë presioni nuk ka pasë sepse kryetari Aliu nuk e kish marrë atë veprim për me e dobësu Qeverinë e vet. E ka menaxhuar shumë mirë pandeminë dhe ne nuk kemi pasë vërejtje për punën e tij”, ka shtuar Berisha.