Nisma Socialdemokrate e ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje se cilat janë pazarllëqet e saj me Nenad Rashiqin?
Përmes një komunikate, Nisma thotë se ajo që ishte e pakuptueshme në qëndrimet e LVV-së kishte të bënte me përdorimin e termit “pazarllëqe” në këtë kontekst.
“Refuzimi i kutive me fletëvotime të falsifikuar ishte dëshmi e qartë se askush nuk kishte pranuar të hynte në “pazarllëqe” me Serbinë dhe dorën e zgjatur të saj, Listën Serbe. Por, të gjitha dilemat rreth pazarllëqeve i hoqi lideri i koalicionit ‘Slloboda’, Nenad Rashiq. I njëjti Nenad Rashiq ishte kategorikisht kundër pakove me fletëvotime të falsifikuara. Këtë qëndrim ai e mbrojti në emisionin PRESSING në T7, të datë 8 nëntor 2019 kur tha: Votat e serbëve grumbullohen në Nish dhe bëhen fletëvotime false!”, thotë Nisma.
Komunikata e plotë e Nismës:
Cilat janë pazarllëqet e LVV-së me Nenad Rashiqin?
Logjika e drejtimit të gishtit ndaj rivalëve politik për veprime që i bën vet, e sintetizuar në sintagmën e njohur “T’i them sa nuk më ka thënë”, doli në shesh edhe në lojën që kurdisi Serbia me pakot e mbushura me fletëvotime të falsifikuara.
Përveç Listës Serbe, të gjitha forcat politike garuese që u prononcuan rreth këtyre “pakove-peshqesh” të ardhura nga Qeveria e Serbisë ishin kategorike që të mos pranohen dhe të konsiderohen të tilla siç janë: të paligjshme. Duke e argumentuar në mënyrë bindëse, PZAP-ja solli vendim dhe i shpalli të paligjshme.
Duke parë përfitimin që mund të nxirrnin nga “peshqeshi” i Aleksandër Vuçiqit, LVV-ja u tërhoq nga qëndrimet e mëparshme, të shprehura nëpërmjet komunikatës së 13 tetorit 2019 dhe përfaqësuesve të saj në mbledhjen e KQZ-së, të datës 13 tetor 2019, dhe fletëvotimet e falsifikuara dhe të paligjshme kërkon të shpallen si të ligjshme!
Edhe më keq se kaq: vendimin e PZAP-së LVV-ja e quan si rezultat të pazarllëqeve dhe kërkon nga Gjykata Supreme që të legjitimojë trafikimin e procesit zgjedhor që u përpoq të bënte Qeveria e Serbisë!
Turpi nuk ka brirë! Në rastin konkret turpi ka marrë formën e përpjekjes për t’ua mohuar të drejtën e përfaqësimit 42 mijë qytetarëve të Kosovës, për interesa të Serbisë dhe atyre që mendojnë se kjo strategji e shtetit serb çon ujë në mullirin e tyre!
Ajo që ishte e pakuptueshme në qëndrimet e LVV-së kishte të bënte me përdorimin e termit “pazarllëqe” në këtë kontekst. Refuzimi i kutive me fletëvotime të falsifikuar ishte dëshmi e qartë se askush nuk kishte pranuar të hynte në “pazarllëqe” me Serbinë dhe dorën e zgjatur të saj, Listën Serbe.
Por, të gjitha dilemat rreth pazarllëqeve i hoqi lideri i koalicionit “Slloboda”, Nenad Rashiq. I njëjti Nenad Rashiq ishte kategorikisht kundër pakove me fletëvotime të falsifikuara. Këtë qëndrim ai e mbrojti në emisionin PRESSING në T7, të datë 8 nëntor 2019 kur tha: “Votat e serbëve grumbullohen në Nish dhe bëhen fletëvotime false”!
Kërkesa e një koalicioni politik të serbëve të Kosovës që të mos pranoheshin fletëvotimet e falsifikuara ishte plotësisht e drejtë. Ajo që në shikim të parë nuk kuptohet sot është ndryshimi i qëndrimit të Nenad Rashiqit dhe ankesa e tij drejtuar Gjykatës Supreme që të konsiderohen të ligjshme fletëvotimet e falsifikuara ku koalicioni “Slloboda” nuk ka asnjë votë të vetme, sepse mbushja 100% e këtyre fletëvotimeve fals janë për Listën Serbe!!!
Ky paradoks nxjerr në shesh pazarllëqet e LVV-së me Nenad Rashiqin. Cilat janë pazarllëqet e tyre nga takimet që kanë pasur do të tregojë koha. Por as Serbia, as Lista Serbe, as Nenad Rashiqi e as LVV-ja dhe as pazarllëqet e tyre nuk do të mund të shkelin mbi ligjet e Kosovës dhe nuk do të mundin ta nëpërkëmbin vullnetin politik të mbi 42 mijë qytetarëve të Kosovës!