image Nis vaksinimi kundër COVID-19 në Emiratet e Bashkuara Arabe

Botë

Nis vaksinimi kundër COVID-19 në Emiratet e Bashkuara Arabe

news image

Emiratet e Bashkuara Arabe nisën të hënën programin publik të vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19, duke përdorur injeksionin e bërë nga gjiganti kinez i ilaçeve, Sinopharm.

Programi nisi në kryeqytetin Abu Dabi, ku së paku 45 spitale dhe klinika janë duke marrë pjesë.

Programi i bën Emiratet e Bashkuara Arabe një nga vendet e para që nisin imunizimin masiv.

Banorët në kryeqytet mund të rezervojnë falas takimin për vaksinë, përmes shërbimeve lokale shëndetësore.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë konfirmuar mbi 186,000 raste me COVID-19.

Prej tyre, 618 pacientë kanë vdekur.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara po ashtu nisin imunizimin e popullsisë nga kjo sëmundje, por me vaksinën e bërë nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane, BioNTech, transmeton REL.

Kjo vaksinë ka nisur të përdoret javën e kaluar edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

COVID-19, sëmundje që shkaktohet nga një koronavirus i ri, ka prekur mbi 72 milionë njerëz në të gjithë botën.

Prej tyre, mbi 1.6 milion kanë vdekur dhe mbi 47 milionë janë shëruar.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë, me mbi 16 milionë të infektuar dhe me afro 300,000 viktima.

Vaksinat e para, kudo në botë, është thënë se do t’i marrin punonjësit shëndetësorë dhe grupet e njerëzve më të rrezikuar – kryesisht të moshuarit./Gazeta Sinjali/