image Nis samiti i BE-së në Bruksel: Raportet Kosovë-Serbi në rend dite

Politikë

Nis samiti i BE-së në Bruksel: Raportet Kosovë-Serbi në rend dite

news image

Liderët e Bashkimit Evropian në samitin e fundit nën Presidencën suedeze të Këshillit Evropian që ka nisur në Bruksel, do të diskutojnë mes tjerash edhe për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat po vazhdojnë.

Në prag të nisjes së këtij takimi disa liderë evropianë kanë përsëritur thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për t’i ulur tensionet.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe ai i Sllovenisë, Robert Gollob, thanë para gazetarëve në Bruksel se sa më parë duhet të zhvillohen zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës. Ata ftuan Serbinë që t’u bëjë thirrje të qartë serbëve në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje.

Plenkoviq bëri të ditur se ai ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të pasur një pasqyrë më të qartë për situatën në prag të diskutimeve në samitin e së enjtes. Ai, po ashtu, ka pasur një bisedë edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq, në fundjavë.

Ndërkaq, kryeministri i Sllovenisë, Gollob, duke folur për masat ndaj Kosovës që po i vendos BE-ja, tha se “duhet pasur një qasje të balancuar ndaj të dyja palëve, sepse asnjëherë nuk është fajtore vetëm njëra palë, edhe kur duket se një gjë e tillë është e thjeshtë”.

Samiti ka filluar me urimet drejtuar Kroacisë, e cila shënon 10-vjetorin e anëtarësimit në BE dhe mbetet akoma vendi më i ri anëtar i saj.

Në këtë përvjetor, sikur edhe në përvjetorin e 20-të të samitit të Selanikut ku u dha premtimi për perspektivë evropiane të rajonit, do të përsëritet përkushtimi për integrimin e tyre në BE.

“Duke rikujtuar Deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor të 21 qershorit 2003, dhe konkluzionet tjera të mëhershme, në veçanti ato të 23 dhe 24 qershorit 2022, Këshilli Evropian përsërit mbështetjen e plotë dhe të parezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në tekstin e draftit të konkluzioneve, të cilat do të miratohen në këtë takim.

Këshilli Evropian do të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit shkurt, si dhe Aneksit për të cilin palët ishin pajtuar në takimin e Ohrit.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian më 3 qershor 2023”, thuhet në këtë tekst, ku po ashtu shtohet se:

“Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”.

“Është esencial vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja të udhëhequr nga Përfaqësuesi i lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe implementimi i Aneksit është i domosdoshëm. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe“ thuhet në këtë tekst.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke folur para nisjes së takimit të liderëve në Bruksel, ka mbështetur idenë për zhvillimin e një konference në nivel të lartë, me pjesëmarrjen e shteteve të BE-së dhe SHBA-së për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

/GazetaSinjali/