Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur sot punëtorinë për hartimin e strategjisë kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, raporton Gazeta Sinjali.
Me rastin e hapjes së kësaj punëtorie i pranishëm ishte ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili theksoi se qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë e popullsisë së saj, së bashku me mbrojtjen e të drejtave të tyre për lirinë e mendimit dhe besimit.
“Qeveria është e vendosur për të zhvilluar këtë Strategji e cila do ta adresojë rrezikun e sigurisë që vjen nga terrorizmi dhe ekstremizmi në një mënyrë të përgjegjshme, duke respektuar garantimin e të drejtave të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, bazuar në respektimin e të drejtave dhe vlerave themelore”, tha ministri Veliu.
Ai bëri të ditur se vlerësimet si në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit Amerikan por edhe në raportet tjera të institucioneve kredibile, vlerësojnë lartë punën dhe të arriturat e institucioneve të Republikës së Kosovës në luftë kundër kësaj dukurie.
Sipas një komunikate të MPB-së, Veliu në këtë takim theksoi vendosmërinë e qeverisë së Republikë së Kosovës në promovimin e respektimit të prejardhjeve të ndryshme fetare dhe kulturore që mbështesin komunitetin tonë.
Prandaj, për të eliminuar me të vërtetë kërcënimin nga ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi, ministri Veliu tha se duhet të përcaktohen faktorët që janë shkaktarë të ekzistencës së tij në Kosovë, duke përdorur dialogun, analizat, dhe ekspertizën si nga partnerët kombëtarë dhe ata ndërkombëtarë.
Në fund të këtij takimi, ministri Veliu i siguroi anëtarët e grupit punues për mbështetjen e parezervë të tij dhe të MPB-së në zbatimin dhe implementimin e kësaj strategjie. /Gazeta Sinjali/