image Ngritja e çmimeve nga shtëpitë botuese për tekstet shkollore, Nagavci: Paratë do t’ua transferojmë prindërve

Arsim

Ngritja e çmimeve nga shtëpitë botuese për tekstet shkollore, Nagavci: Paratë do t’ua transferojmë prindërve

news image

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ka arritur marrëveshje me shtëpitë botuese lidhur me furnizimin me libra për nxënësit. Kjo përkundër se mësimi do të fillojë për 10 ditë.

Në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se në të kaluarën ka pasur keqpërdorime lidhur me kontratat me shtëpitë botuese. Si rezultat, Nagavci ka bërë të ditur se këtë vit paratë për blerjen e librave do t’u transferohen direkt prindërve në xhirollogari, nëpërmjet platformës E Kosova.

“Kemi parë kontrata të negociuara, dhe jo rrallë ka pasur keqpërdorime e abuzime dhe të njëjtat i kemi adresuar. Ka pasur dallime të çmimeve të teksteve shkollore. Kemi pasur dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpi të ndryshme”, ka thënë Nagavci.

“Sivjet jemi duke shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të bëhet në llogaritë e prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shumë shpejt do të vendoset për këtë rrugë, por përtej kësaj kemi punuar paralelisht duke përgatitur platformën për aplikim në E Kosova dhe kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë, që të kemi tekste cilësore por edhe kujdes për buxhetin e shtetit”, ka deklaruar Nagavci më tutje në një konferencë për media, raporton Nacionale.

Nagavci e ka treguar metodën se si do të bëhet pagesa për prindërit.

“Mënyra si është menduar të bëhet rimbursimi ka të bëjë me derdhjen e mjeteve në xhirollogari. Është dizajnuar faqja në E Kosova. Pjesa më e madhe e prindërve i kanë të hapura llogaritë. Do të jetë proces i lehtë, ku prindi në momentin që identifikon veten dalin emrat e fëmijëve, do të zgjedhet shkolla që krejt të shkojë në rregull, dhe në fund është edhe një klauzolë ku secili e merr përgjegjësinë që mjetet do t’i marrë, do t’i përdorë për blerjen e teksteve. Pagesa do të bëhet paraprakisht, pra mjetet të dalin e pastaj ato të shpenzohen për libra. Nuk do të ketë nevojë për fatura e tema të tjera. E kemi parapraë një shënim ku prindi e verifikon që mjetet i vendosen në llogari do t’i përdorë për blerjen e teksteve për fëmijë. Këto janë obligime të përbashkëta, të qeverisë, prindërve, shkollave e komunave”, ka deklaruar ministrja e Arsimit në konferencë për media.

Nagavci ka thënë se është përballur edhe me paralajmërime për kallëzime penale nga shtëpitë botuese. Ajo ka thënë se ka shpresë që librat të jenë gati për 1 shtator. Sipas saj, tash prindërit do t’i blejnë direkt në librari librat për fëmijët e tyre.

“Çmimin tavan mund ta vendosim. Besoj që do të jemi gati për 1 shtator, sepse shtëpitë botuese e dinë cilët libra janë zgjedhur”, tha ajo.

/GazetaSinjali/