image Ngritet aktakuzë ndaj tri grave kosovare për pjesëmarrjen në ISIS

Kosovë

Prokuroria/ Ngritet aktakuzë ndaj tri grave kosovare për pjesëmarrjen në ISIS

news image

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj tri grave kosovare me inicialet M.T., V.T-D. dhe Sh.T., për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga prokuroria, transmeton Gazeta Sinjali.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se tri të pandehurat, me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS (Islamic State of Iraq and the Sham), duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtarinë dhe qëllimet e saja.

“Pasi që bashkëshorti i të pandehurës M.T. ka qenë në Siri për disa muaj dhe është kthyer për një kohë të shkurtër, e gjithë familja ka vendosur që t’i bashkëngjitet luftës për Shtetin Islamik, edhe pse e kanë ditur se veprimi i tillë është kundërligjor, ashtu që e pandehura V.T-D. me bashkëshortin e saj dhe vajzën e vogël, më 05 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit, me veturë kanë dalë nga Kosova dhe kanë shkuar në Shkup, e nga Aeroporti i Shkupit me aeroplan për në Turqi dhe më pastaj në Siri. E pandehura M.T. me bashkëshortin e saj më 04 nëntor 2014, në mënyrë të njëjtë kanë udhëtuar në Siri”, bëhet e ditur fillimisht në njoftimin e prokurorisë.

Më tutje, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sh.T., nëna e të pandehurave M.T., V.T-D., ka udhëtuar në shtator të 2015-ës së bashku me djemët e saj drejt Turqisë, ku nga atje ka shkuar në Siri.

Kurse e pandehura Sh.T., nëna e të pandehurave M.T., V.T-D., më 21 shtator 2015, së bashku me dy djemtë e saj, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ka shkuar për në Turqi dhe nga Turqia në Siri, ku, secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik, iu kanë ofruar shërbime logjistike anëtarëve meshkuj të familjes të cilët aktivisht kanë luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik, deri sa ISIS-i e ka pësuar disfatën e plotë kur kanë qenë të detyruar që të dorëzohen te forcat kurde të cilët pastaj i kanë deportuar në Kosovë më 24 maj 2019”, bëhet e ditur në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës./Gazeta Sinjali/