Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër një qytetari nga Deçani për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, shkruan Gazeta Sinjali.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri I.C., në cilësinë e pronarit të kompanisë “Gogaj AG” në Deçan, me datë 29 gusht 2019, nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë e vendit të punës, në atë mënyrë, derisa punëtori i kësaj kompanie, i dëmtuari V.Ç., ishte në depon e kompanisë në fjalë për tërheqjen e një dush-kabine, në momentin kur i dëmtuari tërheq paketimin, anojnë edhe disa paketime tjera, me ç’rast e godasin të dëmtuarin duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Në bazë të Prokurorisë me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si më lartë.
Prokurori i rastit pas ngritjes së aktakuzës ka propozuar që i dyshuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./Gazeta Sinjali/