Në dhjetor të vitit 2020, Gazeta Sinjali raportoi për një përplasje në mes të ish-zyrtarit të Administratës në Drejtorinë e Emergjencave në Komunën e Pejës, Gani Krasniqit dhe drejtorit të Financave në këtë komunë, Jeton Abazajt, shkruan Gazeta Sinjali.
Së fundmi, Krasniqi ka ngritur edhe padi për shpifje ndaj Abazajt në Gjykatën Themelore në Pejë, për shkak të, siç thotë Krasniqi, shpifjes dhe fyerjes që ia bëri Abazaj.
Padia ndaj Abazajt u ngrit nga Krasniqi, i cili aktualisht është zyrtar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Pejë, për shkak se i padituri Jeton Abazaj, thotë Krasniqi, ishte prononcuar rrejshëm lidhur me një incident mes tyre.
Një mijë e 58 euro që Qeveria e Kosovës atëkohë i pati ndarë për secilin zjarrfikës ishte shkaku i përplasjes mes këtyre dyve. Dyshohej se Abazaj nuk e futi në listë për të përfituar nga kjo shumë Krasniqin, dhe kësisoj, sipas Abazajt, Krasniqi i shkoi në zyre dhe e kërcënoi se do ta vrasë.
Drejtori i Financave, Jeton Abazaj, atëkohë pati thënë për Gazetën Sinjali se rastin e ka raportuar në polici. Por këto deklarata të Abazajt i mohoi Krasniqi. Ky i fundit thotë se nuk e ka kërcënuar prandaj edhe ka ushtruar padinë për shpifje ndaj tij.
Krasniqi, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka treguar se si ka ndodhur ngjarja sipas tij dhe gjithashtu ka dërguar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
“Në realitet unë kam shkuar në zyrën e tij për t’u konsultuar në lidhje me mundësinë e realizimit të një kërkese e cila ishte adresuar nga zyrtarët e performancës Komunale, lidhur me pagesat shtesë (benificione, pagë stimuluese), e cila ishte adresuar me datë 04.11.2020, dhe për të cilën nuk na ishte dhënë një përgjigje me shkrim”, tha Krasniqi për Sinjalin.
Sipas tij, drejtori i Financave, Abazaj, pa e ditur fare arsyen se për çfarë kishte, me të trokitur në derë, Abazaj kishte refuzuar ta takojë.
“E kam përshëndetur drejtorin dhe i kam thënë që kam ardhur për një konsultim me ju, fjalën e parë që më ka thënë ishte “s’kam kohë” edhe pse ishte i vetëm brenda zyrës. Unë ja kam kthyer përgjigjen, edhe unë jam pa kohë, por mundësisht 2 minuta nëse mundesh. Përgjigjja e tij ka qenë liroma zyrën, ndërsa unë i kam thënë zyrën ta liroj por nuk po më pëlqen kjo sjellje e juaj, pastaj ai ngritët nga karrigia dhe tenton të më largojë dhunshëm nga zyra”, është deklarata e Krasniqit që ka dhënë në Gjykatë.
Krasniqi pretendon gjithashtu se është ofenduar me fjalë të rënda nga Abazaj.
“Ai ka bërë deklarime të rrejshme në Polici, Prokurori dhe media të shkruara dhe elektronike”, u shpreh Krasniqi.
Padinë në Themelore Krasniqi e kishte bërë në fund të janarit të vitit 2020.
Krasniqi, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë, të aprovojë padinë e tij si të bazuar dhe të vërtetojë se i padituri ka kryer aktin e shpifjes dhe fyerjes në drejtim të Krasniqit./Gazeta Sinjali/