image Ngjarje historike në marrëdhëniet Izrael - Emirate të Bashkuara Arabe

Botë

Ngjarje historike në marrëdhëniet Izrael – Emirate të Bashkuara Arabe

news image

Kreu i diplomacisë izraelite, Yair Lapid, mbërriti sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, në një vizitë të konsideruar si ngjarje historike në marrëdhëniet mes dy vendeve, që prej nënshkrimit të marrëveshjeve për normalizimin e tyre, në shtator të vitit të kaluar.

Ai do të përurojë Ambasadën e Izraelit në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe do të takohet me zyrtarë të lartë të vendit.

Lapid do të shkojë gjithashtu në Dubai për hapjen zyrtare të konsullatës së Izraelit dhe pavijonit të vendit të tij në Ekspozitën Universale (nga 1 tetori 2021 deri më 31 mars 2022), raporton ATSh.

“Tridhjetë vjet eksperiencë si diplomat, por të shoh ngjyrat e flamurit izraelit këtu në aeroportin e Abu Dabit duke pritur ministrin izraelit të Punëve të Jashtme, është ekzaltuese”, shkroi në Twitter ambasadori izraelit në EBA, Eitan Na’eh.

Më herët, Lapid kishte postuar në Twitter një fotografi të tij në një avion, të shoqëruar me fjalët: “Po fluturoj për një vizitë historike në EBA”.

Delegacioni izraelit do të pritet nga ministri i Çështjeve Ekonomike në Ministrinë e Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe./Gazeta Sinjali/