Disa zyrtarë të lartë amerikanë po kërkojnë që udhëheqja e Iranit publikisht të deklarojë se qarkullimi i anijeve në Ngushticën e Hormzuit është rikthyer plotësisht.
Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti thanë se janë duke shënuar përparim në bisedimet me udhëheqës të lartë iranianë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë thanë se ata duan që Teherani të lëshojë një deklaratë në të cilën thotë se forcat iraniane do t’i ndalin sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit për t’u siguruar që bisedimet të lëvizin përpara.
Megjithatë, pak para se të flisnin zyrtarët amerikanë, diplomati i Teheranit në Kombet e Bashkuara pati ton më sfidues, duke u thënë gazetarëve se çfarëdo aktiviteti në Ngushticën e Hormuzit “i përket ekskluzivisht Iranit”.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se Irani i ka thënë Uashingtonit që sulmet e fundit ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit ishin nga “një pjesë e hallakatur e sistemit të tyre”.
Tri anije u sulmuan javën e kaluar, duke e nxitur presidentin amerikan, Donald Trump, që të kundërpërgjigjej me sulme ndaj caqeve iraniane. Ai ka deklaruar se armëpushimi i arritur në qershor ka marrë fund.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!