Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 2 vjet burgim T.Th, për ngacmimin seksual të një 12-vjeçareje, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas gjykatës, T.Th., këtë vepër e ka kryer mes datës 20 dhe 25 tetor të vitit 2021.
Fillimisht ai, sipas gjykatës, mesditën e 20 tetorit, derisa ishte me biçikletë, i ishte afruar 12-vjeçares e cila po kthehej nga shkolla, duke e ngacmuar me fjalë.
Po ashtu, mesditën e 25 tetorit, kur ajo ishte e vetme, T.Th., i kishte dalë përpara dhe e kishte ngacmuar duke ia bërë me vetulla e duke i buzëqeshur.
“E dëmtuara e frikësuar kërkon një telefon, e në atë moment i akuzuari e dëgjon dhe ikë nga aty, veprime këto me të cilat të dëmtuarës i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis frikësues degradues dhe poshtërues. Me këtë ka kryer veprën penale ngacmimi seksual nga neni 183 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Në dënimin prej 2 vitesh burgim, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 29 tetori e tutje./GazetaSinjali/