Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tmerrshme e mjaft të trishta janë zbuluar muajt e fundit në vendin tonë dhe po vazhdojnë të raportohen, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se për një rast të tillë që ka ndodhur së fundmi, ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas denoncimit të një prindi nga Obiliqi, i cili ka njoftuar Policinë se vajza e tij e mitur është ngacmuar në rrjete sociale.
Nëna e të miturës ka deklaruar para hetuesve policorë se një person ka publikuar disa fotografi të vajzës së saj, me përshkrime banale dhe të njëjtat janë shpërndarë me të madhe në Tik Tok.
Rasti dyshohet se ka ndodhur të enjten, me ç’rast nëna e vajzës ka dërguar edhe dëshmi që provojnë ngacmimet e të dyshuarit.
Në lidhje me këtë rast, Sinjali mëson se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Ngacmim”.