image Nga Zyra e Kryeministrit e demantojnë AAK-në: Takimi s'është anuluar sepse nuk ka qenë i caktuar

Politikë

Nga Zyra e Kryeministrit e demantojnë AAK-në: Takimi s’është anuluar sepse nuk ka qenë i caktuar

news image

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti ka deklaruar se nuk ka qenë në agjendë që sot shefi i qeverisë të takohet me partnerët e koalicionit qeverisës, raporton Gazeta Sinjali.

Kësisoj, Beqiri e ka demantuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që njoftoi dje se kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, bashkë me liderët e tjerë të partive në koalicion do të takohej me kryeministrin Avdullah Hoti.

“Nuk është anulu sepse nuk ka qenë i caktuar takimi. Kështu që nuk mund të anulohet diçka që nuk e kemi caktuar. Dje ka dalë një njoftim, nuk e di nga ka dalë, mirëpo ne nuk kemi lëshu kurrfarë njoftimi apo komunikate që sot ka takim të tillë. Nëse ka takim sot ose ndërkohë, ne sigurisht ju njoftojmë”, ka thënë Beqiri për Gazetën Sinjali.

Dje, AAK-ja kishte njoftuar se takimi ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe kryetarëve të partive në pozitë do të zhvillohej gjatë ditës së sotme në ndërtesën e qeverisë.

“Ju njoftojmë se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj, do të marrë pjesë nesër (e enjte), në takimin që do mbahet në ndërtesën e qeverisë, së bashku me liderët e tjerë të koalicionit dhe kryeministrin Avdullah Hoti”, thuhej në njoftim.

https://www.facebook.com/Aleanca.Official/posts/4341337889240605

Ndërsa sot, zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka ka thënë se takimi – që sipas tij është planifikuar të mbahet sot – është shtyrë për të hënën.

“Sot nuk mbahet takimi i paralajmëruar, është shtyrë për ditën e hënë”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali