image Nga sot mund të bëhen testet serologjike në Prizren

Kosovë

Nga sot mund të bëhen testet serologjike në Prizren

news image

Komuna e Prizrenit përmes një komunikate ka njoftuar se qytetarët e kësaj komune nga sot mund të bëjnë teste serologjike në Qendrën e Mjekësisë Familjare, transmeton Gazeta Sinjali.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se kjo komunë është gati për t’u përballur me COVID-19, edhe nëse Kosova hyn në një valë të dytë me koronavirus.

“Që nga fillimi i pandemisë, Komuna e Prizrenit vazhdimisht ka kërkuar që testet serologjike të kryhen edhe në qytetin tonë. Shpresojmë që Kosova të mos hyjë në valën e dytë të pandemisë, por nëse ndodh një gjë e tillë, Komuna e Prizrenit tani është gati për t’u përballur me të”, tha ai.

Kurse, drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu-Hoxhaj ka thënë se këto teste do të kryhen në bazë të udhëzimeve të mjekëve të institucioneve shëndetësore dhe rezultatet e tyre dalin brenda ditës.

“Këto teste do të kryhen në bazë të udhëzimeve të mjekëve të institucioneve shëndetësore. Po ashtu, do të organizohet testimi i grupeve nga shkollat, komuna e stafi mjekësor. Rezultatet e këtyre testeve dalin brenda ditës dhe aktualisht mund t’i kryejmë rreth 80 teste në ditë, të cilët mund të shtohen varësisht nga kërkesa”, ka thënë Arënliu-Hoxhaj.

Testet serologjike të cilat bëhen përmes gjakut, tregojnë nëse personi është ose ka qenë i infektuar me COVID-19 dhe pasqyrojnë imunitetin e popullatës, që rrjedhimisht do të ndihmojnë në verifikimin e saktë të personave që janë infektuar me COVID-19. /Gazeta Sinjali/