image Nga sot hapen kufijtë e Maqedonisë së Veriut, pa test dhe karantinë

Rajon

Nga sot hapen kufijtë e Maqedonisë së Veriut, pa test dhe karantinë

news image

Prej sot plotësisht hapen të gjitha vendkalimet kufitare në Maqedoninë e Veriut, qytetarët mund të lëvizin pa detyrim për test PCR dhe karantinë shtetërore.

Vendimin e mori Qeveria të martën mbi bazë të rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive, Qeveria në seancën e njëjtë mori vendim që më 1 korrik të hapen për qarkullim edhe Aeroporti Ndërkombëtar Shkup dhe ai “Sh. Apostol Pavle” në Ohër.

Mbetet detyrimi për respektimin e rekomandimeve për mbajtjen e pajisjes mbrojtëse personale, mbajte të distancës dhe dezinfektim të shpeshtë.

Sipas autoriteteve shëndetësore, hapja e kufijve nuk paraqet rrezik të dukshëm për rritjen e numrit të rasteve të reja, sepse transmisioni lokal është rrezik më i madh. Vlerësimi është se hapja e kufijve me respektim të masave parandaluese (kontroll të vendosur në aeroportet dhe mënyra e anketimit të udhëtarëve për hyrje në shtet) e redukton në minimum rrezikun për rritjen e numrit të pacientëve të diagnostikuar.

Me vendimin për hapje të plotë të kufijve të vendit shtetasit e Maqedonisë së Veriut do të mund lirshëm të udhëtojnë jashtë kufijve pa detyrim për test negativ PCR për koronavirus dhe karantinë të detyruar 14 ditore gjatë kthimit në vend. Megjithatë, me përjashtim të Serbisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë, ky detyrim mbetet për hyrje në disa vende në rajon dhe në vendet anëtare të BE-së. Për udhëtim në vendet anëtare të BE-së vlejnë udhëzimet e lëshuara nga KE-ja për hapjen e kufijve nga 1 korriku të këtij viti. Këtë vendim anëtaret e Unionit këto ditë dihet sërish ta shqyrtojnë për shkak të rritjes së numrit të të sëmurëve me koranavirus në vendet në rajon.

Greqia, sipas paralajmërimeve të autoriteteve në Athinë, tani për tani mbetet në planin fillestar për hapjen e kufijve më 1 korrik, por edhe duke treguar se ky është një “plan që vazhdimisht po azhurnohet edhe në bashkëpunim me autoritetet evropiane”.

Sllovenia dhe Kroacia, megjithatë, paralajmëruan mundësi për ashpërsimin e regjimit kufitar dhe sërish kthim të detyrimit për karantinë dyjavore për personat të cilët vijnë nga Serbia, BE-ja, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga Kosova, duke pasur parasysh pasqyrën epidemiologjike në këto vende. Bullgaria, megjithatë, e vazhdon gjendjen e jashtëzakonshme në vend deri më 15 korrik për shkak të valës së re të të infektuarve me koronavirus.

Në prag të hapjes së kufijve, me kërkesë të Shtabit Koordinues Kryesor të Krizës, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor mbrëmë mori vendim me të cilin anulohen të gjitha veprimet sipas vendimeve për periudhën prej 13 e deri më 25 qershor të këtij viti për personat nën mbikëqyrje shëndetësore dhe izolim shtëpiak dhe personat në karantinë shtetërore të cilët kanë hyrë në Republikën e Maqedonisë së Veriut me test negativ PCR të Kovid-19. /Gazeta Sinjali/