image Nga QKUK tregojnë se si është gjendja e 54-vjeçarit që u plagos mbrëmë në Prishtinë

Siguri

Nga QKUK tregojnë se si është gjendja e 54-vjeçarit që u plagos mbrëmë në Prishtinë

news image

Menderes Emini (Muja), 54-vjeçari nga Prishtina, i cili u plagos me armë zjarri mbrëmë në rrugën “Zija Shemsiu” në Prishtinë, është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, raporton Gazeta Sinjali.

Drejtori i kësaj klinike, Saudin Maliqi, ka treguar për Gazetën Sinjali se si është gjendja shëndetësore e 54-vjeçarit.

Maliqi tha se Muja i është nënshtruar një operimi dhe se gjendja shëndetësore e tij është përmirësuar dhe tani është stabile.

“Ai mbrëmë është sjellë në Klinikën, respektivisht në Qendrën Emergjente, si i plagosur në krahëror, në anën e majtë. Është sjellë mjeku, kirurgu torakal, i cili ia ka bërë një interventim të vogël dhe është përcjellë më tutje situata në klinikën tonë, në Qendrën e Kirurgjisë Torakale”, tha ai.

Gjendja e pacientit është stabile. Sot ia kemi bërë kontrollat dhe vizitat, i janë dhënë terapitë e duhura dhe është në një gjendje të përmirësuar. Shpresojmë që në ditën në vijim gjendja e tij të jetë më e mirë, e më e mirë. Gjendja është për momentin stabile dhe me përcjellje”, tha Maliqi.

I dyshuari për plagosjen e tij është arrestuar dje nga policia dhe me vendimit të prokurorit, gjendet në ndalim 48 orësh.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur një gëzhojë dhe një predhë, ndërsa te i dyshuari është gjetur një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast dhe 23 fishekë të kalibrit 9mm./Gazeta Sinjali/