Kryetari i Komunës së Gjilanit pas takimit të mbajtur me komitetin e kësaj komune për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 ka marrë vendim që nga nesër punëtorët e sektorit publik nuk mund të futen në vendet e tyre të punës pa konfirmim të vaksinimit, test PCR apo test rapid antigjen.
“Ndërkaq, kreu i Gjilanit ka nxjerr sot vendimin se nga nesër, (7 shtator 2021), punëtorët e shtetit, përfshirë shërbyesit civilë, zyrtarët publik, mjekët, infermierët, mësimdhënësit, zjarrfikësit, punëtorët teknikë etj., nuk do të mund të futen në vendet e tyre të punës pa konfirmim të vaksinimit, test PCR apo test rapid antigjen”, thuhet në njoftimin e komunës së Gjilanit.
Tutje në këtë njoftim bëhet e ditur se deri më tani 49 mijë e 131 qytetarë të kësaj komune janë vaksinuar.
Ndryshe, gjendja e përgjithshme në Gjilan prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 26111 mostra, 9 mijë e 331 qytetarë kanë rezultuar pozitivë, 8 mijë e 160 janë shëruar, 174 persona e kanë humbur betejën, 998 raste janë aktive, 49 mijë e 131 deri tani janë vaksinuar, të hospitalizuar janë 111 pacientë, ndërkaq 146 mostra janë në pritje për rezultat.