Objekte fetare si xhamitë dhe kishat kanë qenë të mbyllura për një kohë për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19.
Nga nesër objektet fetare do të hapen, gjithashtu nga nesër pritet të hiqet edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Orari i lëvizjes për qytetarët do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në ora 21:00 të mbrëmjes.
Në këtë fazë të lehtësimit të masave, institucionet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vendosin maska e dorëza, në çdo vend që ata frekuentojnë.
Bashkësia Islame e Kosovës pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen e objekteve fetare, ka dalë me një vendim përmes të cilit njofton se nga dita e nesërme do të rihapen të gjitha objektet fetare në Kosovë.
Në këtë vendim janë listuar edhe rregullat që besimtarët duhet të iu përmbahen.
Në vendim thuhet që duhet të merret abdes në shtëpi dhe të mos shfrytëzohen abdes-hanet dhe toaletet e përbashkëta.
Ndryshe, që nga 13 marsi e deri tani në Kosovë me virus janë infektuar 1 mijë e 47 persona, 794 persona prej të infektuarve janë shëruar kurse 30 persona kanë humbur jetën por që kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese./Gazeta Sinjali/