Tashmë është e konfirmuar zyrtarisht se duke nisur nga java e ardhshme Anglia do t’i rikthehet normalitetit, duke hequr masat kufizuese anti-COVID.
Ky është dhe qëllimi kryesor i kryeministrit Britanik, Boris Johnson, i cili përgjatë javës që vjen do të diskutojë në parlament planin që do të quhet: “Bashkëjetesa me koronavirusin”.
Kësisoji, Anglia do të bëhet vendi i tretë, pas Danimarkës dhe Norvegjisë që pritet t’i rikthehet normalitetit të para-pandemisë.
Me nisjen e ditës së hënë, kush do të rezultojë pozitiv me COVID, nuk do të detyrohet më të vetë-izolohet për disa ditë. Përkundrazi, sipas mjekëve anglezë, kush do të rezultojë i infektuar, thjeshtë do të këshillohet të qëndrojë në shtëpi, duke marrë një trajtim të ngjashëm me llojet e gripërave të tjerë.
Ky është ndryshimi më i rëndësishëm në paketën e re të reformës së pandemisë, e cila në praktikë do të heqë “të gjitha masat shtrënguese që kufizojnë lirinë e qytetarëve”.
Vendet e tjera të Mbretërisë së Bashkuar do t’i ruajnë edhe për disa kohë disa masa shtrënguese, për shkak të disa vatrave ende problematike në përhapjen e shpejtë të COVID, sidomos të variantit Omicron, raporton abcnews.
Në Britaninë e Madhe, 85% e popullsisë së moshës mbi 12 vjeç, i ka marrë të dy dozat e vaksinës, dhe 66% ka marrë edhe dozën e tretë.