image Nga e hëna, nuk ka më 'ekskursione' në emër të punëtorive për zyrtarët publikë

Politikë

Nga e hëna, nuk ka më ‘ekskursione’ në emër të punëtorive për zyrtarët publikë

news image

Që nga themelimi i institucioneve në Kosovë, praktika e mbajtjes së punëtorive jashtë vendit ka vazhduar për shumë vite, duke shpenzuar kështu buxhetin e Qeverisë së Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Shumë herë është raportuar që mëditjet që marrin zyrtarët publikë për të marrë pjesë në punëtori të ndryshme jashtë Kosovës janë të mëdha dhe po i kushtojnë buxhetit shumë.

Ndonëse një praktikë e tillë nuk është ndërprerë dhe nuk janë shqyrtuar mundësitë që punëtoritë të organizohen në Kosovë, Qeveria Hoti ka marrë vendim që të shqyrtojë të hënën ndalimin e mbajtjes së punëtorive jashtë vendit.

Gazeta Sinjali ka siguruar rendin e ditës për mbledhjen e 36 të ekzekutivit, ku do të shqyrtohet propozim-vendimi, me të cilin do të ndalohet organizimi i punëtorive jashtë Republikës së Kosovës, nga ministritë, agjencitë ekzekutive dhe njësitë tjera brenda sistemit ministror.

Organizimi i punëtorive jashtë vendit do të ndalohet për të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me hartimin, punimin apo diskutimin e dokumenteve qeveritare, përfshirë strategjitë, koncept-dokumentet, projekt-aktet normative, dokumentet planifikuese dhe dokumentet e ngjashme.

/GazetaSinjali/