image Neuropsikiatri Rexhepi: Gjatë pandemisë janë shtuar rastet me ankth e stres, si dhe dhuna në familje

Shëndetësi

Neuropsikiatri Rexhepi: Gjatë pandemisë janë shtuar rastet me ankth e stres, si dhe dhuna në familje

news image

Problemet që ka shkaktuar pandemia, e cila u shfaq para gati dy vitesh, janë të shumta.

Problemit i ka kontribuuar edhe izolimi social. Një masë kjo e gabuar për ballafaqim me pandeminë, sipas psikiatërve. Gjithashtu vështirësitë financiare kanë nxjerrë në pah dhe shtuar agresivitetin te shumë persona.

Drejtori i Qendrës për Shëndetin Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi, thotë për EO, se vizitat dhe kërkesat për trajtim në këtë qendër janë rritur shumë. Rexhepi thotë se “Kryesisht janë probleme me ankth edhe pamundësia e menaxhimit në mënyrë të duhur të stresit, i cili është akumuluar për këto dy vite”.

Popullata ka qenë në një luftë të pashpallur me një agjent të cilin s’e ke ditur a është brenda në shtëpi, apo është jashtë. Jemi frikësuar se po infektohemi edhe për vete, jemi frikësuar edhe për infektimin e familjarëve tanë. Dhe kjo e ka rritur edhe më tepër nivelin e stresit”, shprehet Rexhepi.

Edhe rastet e dhunës në familje janë rritur pasi pragu i durimit është ulur shumë.

“Është rritur numri, pak ndoshta edhe shkaku i ndërgjegjësimit të popullatës për raportimin e dhunës në familje. Ka familje ku dhuna ka qenë prezentë edhe më herët… Por është një numër i rasteve të reja të dhunës në familje. Pak a shumë është normale për shkak se pragu i durimit është lëshuar shumë poshtë, toleranca jonë është zvogëluar shumë. Po ashtu mënyra e mirëfilltë e komunikimit mungon te ne, në përgjithësi, si kulturë”. thotë Rexhepi

“Të gjitha këto kanë ndikuar që të rritet numri i rasteve të dhunës në familje. Tash kemi dhunën ndaj të moshuarve, dhunën ndërmjet çifteve, kemi dhunën ndaj fëmijëve, kemi dhunën në shkolla dhe më së shumti e që më së lehti shihet është dhuna në komunikacion. Keni parë çfarë tollovie, mungesa e durimit në semaforë të kuq, ikja me një shpejtësi të pakontrolluar me veturë nëpër qytet”, shtoi Rexhepi.

Sipas tij, edhe mënyra e informimit në media lidhur me virusin ka pasur ndikim të madh negativ në psikikën e qytetarëve. “Ndikim kanë pasur edhe lajmet e rreme lidhur me vaksinën dhe efektet anësore të saj”.