image Neurokirurgu kosovar thotë se e tejkaloi koronavirusin pa e ditur se ishte infektuar

Kosovë

Shëndetësi/ Neurokirurgu kosovar thotë se e tejkaloi koronavirusin pa e ditur se ishte infektuar

news image

Neurokirurgu kosovar, Muhamed Rama i cili vepron në Baden- Wurttemberg të Gjermanisë, ka treguar se kishte rezultuar pozitiv me koronavirusin.

Por ai ka zbuluar se këtë infeksion e mori që nga muaji shkurt por e ka tejkaluar këtë fazë pa e kuptuar fare, dhe së fundi e mësoi se kishte qenë pozitiv.

”Të hënen bëmë i gjithë stafi analizat e gjakut”.

”Kjo për të verifikuar nëse ndonjëri prej nesh ka qenë i infektuar me Covid-19”.

”Nga analizat rezulton se unë kam qenë i infektuar dhe se titri i antitrupave në gjakun tim është i lartë”, është shprehur ai.

Ai thotë se nga kolegët e tij të stafit mjekësor të klinikës neurologjike në Sigmaringen, është i vetmi që ka dalur me këtë rezultat.

”Unë jam i vetmi nga stafi mjekëve me këtë rezultat. Kolegët janë mjaft të befasuar me këtë rast sepse jam i vetmi nga 15 të tjerë. Do kishin dëshirë edhe ata të ishin me titër të lartë”.

Këtë ai e ka dëshmuar edhe me një dokument laboratorik të publikuar.

Neurokirurgu nga Rahoveci por që vepron në Gjermani, ka treguar edhe disa nga simptomat të cilat ai i ka pasur gjatë asaj kohe.

”Pas analizave unë e kuptova që veç kam qenë i infektuar me këtë virus”.

”Dy ditë kam pasur djegësim dhe grithje në fyt. Është shfaqur një ngjizje e zërit dhe një temperaturë e lehtë. Kisha ndjesinë e humbjes së shijes. Simptomat dita e ditës shtoheshin ngadalë por u ndjeva mirë ndonëse kisha temperatur të ngritur”.

”Ajo çfarë tek unë ndjeja ishte një djersitje jo zakonshme gjatë natës, por më pas ngeli tek unë një kollë e thatë, shumë therrëse. Mund të them që një kollë e rrallë ende shfaqet tek unë por që simptomat janë larguar” , ka thënë ai për Klanin.

Rama thekson që nuk e di se si është infektuar me koronavirus.

”Rezultati për mua është befasues pasi nuk e di se kur kam qenë i infektuar edhe pse gjatë shkurtit të 5 anëtarët e familjes kishim shenja të një gripi. Në atë kohë Gjermania ende nuk kishte marrë masa kundër Covid-19”.