image Neuer e ndez më shumë 'konfliktin' me Ter Stegen

Futboll

Gjermani/ Neuer e ndez më shumë ‘konfliktin’ me Ter Stegen

news image

Kapiteni i përfaqësueses gjermane, Manuel Neuer iu ka përgjigjur deklaratave të zëvendësuesit të tij, Marc André ter Stegen, i cili u ankua për situatën e tij te “Mannschaft”. Portieri i Bayernit i sugjeroi kolegut të tij të Barcelonës se duhet të mendojë më shumë për grupin dhe jo për egon e tij.

“Unë jam një lojtar i ekipit dhe gjithmonë mendoj për të mirën e skuadrës. Nuk e di nëse diçka e tillë është e mirë për grupin, veçanërisht kur bëhet fjalë për pozicionin tonë,” tha Neuer për kanalin Sky.

Porteri gjerman zbuloi se, ndërsa kombëtarja gjermane ishte përqendruar në ndeshjet kundër Holandës dhe Irlandës e Veriut, Ter Stegen nuk e kishte shprehur pakënaqësinë e tij.

“Unë e kuptoj plotësisht se kushdo që nuk luan është i pakënaqur, por gjëja e rëndësishme është suksesi i ekipit dhe ne duhet ta mbështesim njëri-tjetrin. Nuk dua të them asgjë tjetër. Nuk është hera e parë që ai (ter Stegen) bën deklarata të tilla”, tha Neuer.

Ai vuri në dukje se përveç ter Stegen, ka edhe portierë të tjerë që janë duke pritur për mundësitë e tyre si Kevin Trapp dhe Bernd Leno.