image Nesër publikohet vendimi i AKK-së për 16 kompanitë që dyshohet se manipuluan me çmimin e naftës

Kosovë

Ekonomi/ Nesër publikohet vendimi i AKK-së për 16 kompanitë që dyshohet se manipuluan me çmimin e naftës

news image

Nesër do të publikohet vendimi përfundimtar për kompanitë e dyshuara për manipulimin me çmimet e derivateve të naftës, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmi u bë i ditur nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, përmes një njoftimi në facebook.

“Ju njoftojmë se të premten (08.05.2020), në orën 10, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do ta shpalosë vendimin përfundimtar lidhur me rastin që ka të bëjë me dyshimet për manipulime me çmime nga kompanitë e derivateve të naftës”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Kujtojmë që në muajt e fundit të vitit 2018 çmimet e larta të naftës në vend patën nxitur reagime të shumta të qytetarëve. Dyshimet ishin se kompanitë që operojnë në vend, kishin lidhur një marrëveshje të fshehtë për të ngritur çmimet. Por, atë kohë shoqata e naftëtarëve arsyetohej se në Kosovë çmimet ishin më të ulëta se në rajon.

Kjo shtyri AKK-në që të fillojë hetimet në 16 kompani për dyshimin e arritjes së një marrëveshje të tillë.

“Komisioni i AKK-së ka filluar procedurën e thelluar hetimore në tregun përkatës për të vërtetuar pretendimin mbi dyshimet nëse ka marrëveshje, koordinim, praktikë të bashkërenduar apo sjellje paralele në treg për fiksimin e çmimeve të naftës dhe benzinës ndërmjet ndërmarrjeve që janë objekt hetimi për këtë rast. Autoriteti në procesin e monitorimit në sektorin e naftës në Republikën e Kosovës ka vërejtur se ka mos reflektim të uljes së çmimit të naftës dhe derivateve të naftës kur ka lëvizje të çmimit, ulje apo ngritje, të këtij produkti në berëza”, thuhej në dokumentin që ishte publikuar në muajin shkurt./Gazeta Sinjali/