Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë të hënën mbledhje duke filluar nga 11:00.
Në këtë mbledhje pritet të caktohet edhe data e seancës së re plenare, e cila do të jetë e para për sesionin vjeshtor.
Në rendin e ditës janë pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 22, 23, 24 shkurt, 16 mars, 14 prill dhe 22 qershor 2022 – votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale.
Pikë e dytë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës si pikë e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 24, 25 shkurt, 16 mars, 14 prill dhe 22 qershor 2022.
Në rend dite është edhe pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 7, 14 prill dhe 22 qershor 2022 – zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.
Kryesia në rend dite ka edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare e datës 4 gusht 2022 – votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Qeverinë e Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë, shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, zgjedhja e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së për 2021 dhe raportit të auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në RTK”, formimi i komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të caktojë edhe datën e seancës së re plenare, ku në rend dite do të jenë për shqyrtim të parë një sërë projektligjesh, në mesin e tyre edhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.