Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka njoftuar se nesër do të dorëzojnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të vazhdojnë të kërkojnë realizimin e plotë të të drejtës së tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Berisha ka thënë se këtë drejtësi që e presin nga Kushtetuesja, ua ka mohuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme, kur hodhën poshtë ankesën e tyre për pretendimet e tyre se ka pasur orkestrim të votave nga ana e “Romani Iniciativa” në vendbanime me shumicë të komunitetit serb, në zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit.
Berisha ka njoftuar se përmes Gjykatës Kushtetuese synojnë rikthimin e mandatit në Kuvendin e Kosovës, të cilin thotë se e ka humbur padrejtësisht komuniteti egjiptian.
Këtë ankesë i pari i PLE-së ka thënë se do ta dorëzojnë edhe tek Avokati i Popullit.
“Po ashtu, ankesën tonë në të njëjtën ditë rreth orës 13:30 do e deponojmë në zyrën e Avokatit të Popullit, ku bazuar edhe në mandatin e tij, do të kërkojmë identifikimin veprimeve diskriminuese dhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë dhe pas procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 14 shkurtit”, ka njoftuar Berisha./Gazeta Sinjali/