image Veton Berisha nuk e pranon vendimin e Supremes, paralajmëron ankesë në Kushtetuese

Veton Berisha nuk e pranon vendimin e Supremes, paralajmëron ankesë në Kushtetuese

news image

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha ka reaguar ndaj vendimeve të Gjykatës Supreme duke thënë se ato janë të papranuara pasi sipas tij janë të njëanshme dhe të paqarta në aspektin faktik dhe përmbajtësor.

Ai ka thënë se do të procedojnë ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese për të konfirmuar të drejtën e tyre.

“Në arsyetimin e PZAP-së dhe aktgjykimin e konfirmuar nga Gjykata Supreme theksohet se paneli me datat 06 dhe 07 mars 2021, sipas detyrës zyrtare ka zhvilluar hetime për të vërtetuar gjendjen faktike të rastit konkret dhe erdhi në përfundim se apelet janë pjesërisht të bazuara për arsye se: provat në shkresat e lëndës respektivisht nga hetimi i Panelit i mbështetur me provat e bashkangjitura në lëndë është provuar se numri i votave të fituara nga subjekti politik “Romani Iniciativa” nuk përputhet me numrin e votuesve të komunitetit për të cilin ka konkuruar si përfaqësues në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 14 shkurtë 2021 në Komuna të caktuara”, ka shkruar Berisha.

Sipas tij, Gjykata Supreme ia refuzon ankesën e “Romani Iniciativa” duke konfirmuar se ka pasur orkestrim të votave, ndërsa në të njëjtin aktgjykim partisë së tij i refuzohen pretendimet në ankesë duke konfirmuar se nuk ka pasur orkestrim të votave në komunat Graçanicë, Mitrovicë e Veriut dhe Kamenicë.

“Subjekti Politik PLE vlerëson se nëse në një çështje, objekti i lëndës është i njëjtë dhe pretendimet janë të kundërta atëherë njërës nga këto palë të përfshira do të duhej të i miratohej ankesa dhe tjetrës të i refuzohej, ndërsa në çështjen në fjalë Gjykata Supreme i kishte refuzuar të dyja palët! Në vijim ju paraqesim komunat që kanë qenë objekt shqyrtimi në Gjykatën Supreme dhe në mënyrë shumë të qartë pasqyrohet disproporcioni në mes numrit të banorëve në ato komuna dhe numrit të votave të fituara, i cili standard nuk është zbatuar në mënyrë unike duke përfshirë edhe këto komuna si në vijim: Në Graçanicë, ku “Romani Iniciativa” ka fituar 1773 vota ndërkaq numri i popullsisë rome është në tërësi 745 banorë, në Kamenicë, ku “Romani Iniciativa” ka fituar 283 vota ndërkaq numri i popullsisë rome është në tërësi 240 banorë, në Mitrovicë Veriore, ku “Romani Iniciativa” ka fituar 198 vota ndërkaq numri i popullsisë rome është në tërësi 40 banorë. Të dhënat statistikore janë të mbështetura në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 si dhe raportit të OSCE-së të vitit 2018 (të përfshira janë të dhëna të të gjithë banorëve duke përfshirë edhe ata pa të drejtë vote)”, thuhet më tutje në reagim.

Ai ka shtuar se Gjykata Supreme nuk ka përdorur standard unik në kuptimin se me të njëjtat prova dhe argumente miraton si të bazuara pretendimet duke anuluar votat në disa komuna ndërsa në disa komuna të tjera refuzon pretendimet ankimore.

/GazetaSinjali/