Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi, i cili ka për qëllim krijimin e lidhjeve të bashkëpunimit në mes palëve nënshkruese.
Për qëllim të jetësimit të këtij bashkëpunimi, palët janë dakorduar për themelimin e Qendrës UP4COMP, e cila do të institucionalizohet përmes vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.
“Kjo qendër do të shërbejë si qendër e kompetencave dhe si institucioni kryesor që do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet palëve nënshkruese. Kjo lidhje ndërmjet dijes (botës akademike), sektorit publik dhe komunitetit të biznesit është një parakusht për sigurimin e suksesshëm të arsimit dhe aftësimit cilësor, për një qytet inovativ, universitet sipërmarrës, biznese me përgjegjësi të lartë shoqërore dhe përafrimin e arsimit me nevojat e tregut. Palët do të bashkëpunojnë me qëllim që të sjellin qasje të re dhe të struktuar për përkrahjen dhe zhvillimin e arsimit të lartë dhe të arsimit e aftësimit profesional”, thuhet në njoftimin dërguar mediave, transmeton Gazeta Sinjali.
Qendra UP4COMP do të përkrahë dhe lehtësojë bashkëpunimin e strukturuar institucional mes palëve nënshkruese për harmonizimin e arsimit të lartë me tregun e punës, duke ndërtuar modele konkrete të bashkëpunimit me ekonominë dhe industrinë.
Në fjalën e tyre, nënshkruesit e këtij memorandumi u zotuan se secila palë do t’i marrë përsipër përgjegjësitë të cilat do t’i zbatojnë me qëllim të realizimit sa më të mirë dhe efikas të këtij memorandumi. /Gazeta Sinjali/