Është nënshkruar marrëveshja 10 milionëshe e kredisë e cila do të përdoret për blerjen e 30 autobusëve, gjashtë prej të cilëve janë autobusë elektrik me bateri dhe njëzet e katër të modelit EURO VI, së bashku me infrastrukturën për mbushjen e tyre.
Autobusët Euro-VI janë autobusë të rinj me naftë në përputhje me standardin e emetimeve Euro-VI, i cili kufizon emetimet që ata prodhojnë.
Marrëveshja e kredisë me Bankën Rindërtim dhe Zhvillim u nënshkrua në Londër nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje Rama tha se është moment kyç drejt tranzicionit të gjelbër.
“Inkorporimi i autobusëve të parë elektrik në qytet dhe në vend është një moment kyç drejt tranzicionit të gjelbër. Kjo do të ketë një ndikim të prekshëm në jetën e qytetarëve tanë dhe do të ndërmarrë hapa kuptimplotë drejt një Prishtine më të shëndetshme dhe më të pastër. Jemi shumë krenarë që vazhdojmë një bashkëpunim të ngushtë me partnerin tonë BERZH”, tha Rama.