image Nënkryetari i LDK-së: Kurti ia nënshkroi vendimin edhe vetës

Kosovë

Nënkryetari i LDK-së: Kurti ia nënshkroi vendimin edhe vetës

news image

Nënkryetari  i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka komentuar vendimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, shkruan Gazeta Sinjali.

Rugova për Gazetën Sinjali tha se me nënshkrimin e  vendimit për shkarkimin e Veliut, Kurti ia nënshkroi vendimin edhe vetës. Ai thotë se ky vendim e ka rrezikuar koalicionin qeverisës LDK-LVV.

“Vendimi është një rrugë pa kthim. Unë këtu po e shoh që z.Kurti ia ka nënshkruar vendimin edhe vetës përnjëherë. Natyrisht që Agimi është nënkryetar i Lidhjes Demokratike, shkarkimi i tij pa marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me Isa Mustafën, unë mendoj që çon në një rrugë pa kthim. Ky vendim e ka rrezikuar koalicionin LDK-LVV. Absolut as nuk e kem ndërmend me e mendu një emër që do ta zëvendësojë Veliun, as nuk jemi taku. Shkarkimi është i papranueshëm, i njëanshëm, jashtë marrëveshjes pa konsultime paraprake, gjë që del me pozicion të shkeljes së marrëveshjes LDK-LVV”, tha nënkryetari i LDK-së.

Madje, Rugova tha se këtë javë ka pritur një vendim tjetër nga Kurti.

“Unë kam pritur që do të merr një vendim tjetër Albin Kurti. Vendimin për heqjen e taksës pa kusht, brenda javës. Nëse ky problem është i lidhur me këtë, ky ështe një muhabet tjetër”, tha ai.        

Tutje, nënkryetari i Lidhjes Demokratike tha se ky vendim tregon paaftësinë e kryeministrit për të udhëhequr qeverinë dhe situatën aktuale në vend.

“Nuk mendoj që deklarata e Veliu ka nxitë panik te qytetarët. Unë e shoh se është paaftësi  e Albin Kurtit me e udhëheqë qeverinë edhe të gjithë situatën aktuale. Unë mendoj që është kjo dhe problemi është që ai po del në pozicione të bashkëpunimit të keq me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu është problemi, dmth, kundër qëndrimeve të  Amerikës për Kosovën, si miku ynë esencial dhe kryesor”, ka përfunduar Rugova./Gazeta Sinjali/