image “Nëna e nxënëses hyri në klasë dhe e sulmoi mësuesen para të gjithëve”, flet për Sinjalin drejtori i shkollës

Siguri

“Nëna e nxënëses hyri në klasë dhe e sulmoi mësuesen para të gjithëve”, flet për Sinjalin drejtori i shkollës

news image

Gazeta Sinjali pak më parë ka raportuar se nëna e një nxënëses e ka sulmuar mësuesen, në shkollën “Naim Frashëri”, në Zaskok të Ferizajt. E arsyeja e kësaj përleshje dyshohet të jetë vërejtja që kishte marrë nxënësja nga kjo mësuese.

Për këtë rast Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtorin e kësaj shkolle, Bekim Nrecaj, i cili tha se nëna e nxënëses ka hyrë në orën e mësimit dhe e ka sulmuar mësuesen në prani të nxënësve të tjerë.

“Rasti ka ndodhur brenda në klasë, rastin në polici e kanë lajmëru punëtorët e shkollës, ajo ka ardhë ka hy në shkollë. Rasti ka ndodhë pa paralajmërim. Mësuesja ka qenë në orë të mësimit, e ka sulmuar para nxënësve të tjerë, në prani të tyre”, ka thënë Nrecaj.

I pyetur për gjendjen shëndetësore të mësueses, Nrecaj bëri të ditur se pas trajtimit mjekësor ajo është liruar në shtëpi por që ndihet e shqetësuar.

Është e shqetësuar, nuk po mundet me e marrë veten, pasi e ka marrë policia rastin, ajo është dërgu në emergjencë e ka marrë një trajtim mjekësor dhe është liruar për në shtëpi”, tha drejtori i shkollës për Sinjalin.

Për rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Përmes një komunikate, nga rajoni i Ferizajt, kanë thënë që sot rreth orës 08:05 kanë pranuar informacion që në shkollën e mesme të ulët ‘’Naim Frashëri ‘’ në Zaskok të Ferizajt është një rast i lëndimit
trupor.

“Në lidhje me këtë, policia ka marr veprimet e duhura dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet B.P (F/K) e moshës 35 vjeçare, e cila kishte sulmuar personin tjetër viktimën në këtë rast H.L ( F/K) e moshës 58 vjeçare, mësimdhënëse në këtë shkollë , duke i shkaktuar lëndime trupore dhe kishte marr tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Deri të ky lëndim trupor kishte ardhur si shkak , se vajza e të dyshuarës , nxënëse në këtë shkollë kishte marr një vërejtje. E dyshuara , pasi është intervistuar nga policia me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka njoftuar Policia.

/GazetaSinjali/