Votuesit zviceranë do të vendosin të dielën mbi një propozim për të ndaluar mbulesat e fytyrës, si nikabet dhe burkat që i mbajnë disa gra myslimane në vend, maskat e skijimit si dhe shamitë e përdorura nga protestuesit.
Sipas medieve të huaja, masa do ta bënte të jashtëligjshme mbulimin e fytyrës në vende publike, sikurse në restorante, stadiume sportive, në transport publik ose thjesht edhe gjatë ecjes në rrugë.
Ndërkohë, do të kishte përjashtime në vendet fetare si dhe për arsye sigurie ose shëndetësore, të tilla sikurse maskat e fytyrës që i mbajnë tani njerëzit për t’u mbrojtur nga COVID-19, si dhe për festimet tradicionale të Karnavaleve.
Autoriteteve do t’ju duhen dy vite për të hartuar legjislacionin e detajuar.
Qeveria zvicerane e kundërshton këtë masë dhe thotë se çështja e njerëzve që mbulojnë fytyrat e tyre është “margjinale”.
Qeveria argumenton se masa mund të dëmtojë turizmin, pasi shumica e grave myslimane që veshin mbulesa të tilla në Zvicër janë vizitore nga shtetet e Gjirit Persik, të cilat shpesh tërhiqen nga qytete bukolike buzë liqenit./Gazeta Sinjali/