image "Në vend se me bë Bajram, ata nuk janë", fjalët prekëse të kryefamiljarit që humbi tragjikisht nusen e nipin

Sociale

“Në vend se me bë Bajram, ata nuk janë”, fjalët prekëse të kryefamiljarit që humbi tragjikisht nusen e nipin

news image

“Në vend se me ba Bajram me familje, ata nuk janë”, thotë duke iu dridhur buza e me sy të përlotur, Milaim Ademaj, të cilit kjo festë veç ia shton mërzinë për dy anëtarët e familjes që i humbi tragjikisht gjashtë ditë më parë.

Për 26 vjeçaren Mirsadën dhe të birin e saj 5-vjeçar, Dionin, që vdiqën nga vërshimet, e kanë vazhduar të pamen edhe këtë të mërkurë.

“Na e kemi pasë tri ditë të pamen, por sot është ditë Bajrami, nuk mundemi me e mbyllë, kush vjen, faleminderit prej tyre. Dhimbje të madhe kemi, Bajram nuk kemi familja jonë”, tregon kryefamiljari Milaimi.

Atmosferë feste s’ka askund në lagjen “Asllan Çeshme” në Pejë. Dëmet e rrebeshit të shiut, vërehen në rrugë e në oborre.

Për këtë, familja tjetër Krasniqi s’po e shijon fare këtë Kurban Bajram.

“Për momentin s’kemi as ku me i pritë mysafirët, po s’besoj as që mundemi me shku diku, se kemi punë me i rregullu sendet e pajisjet që na u kanë dëmtu”, shprehet djali Valiri, teksa e tregon sallonin e shtëpisë të zbrazur nga orenditë.

Në vend të rrobave të reja e pritjes së mysafirëve, Muhamet Ahma iu ka përveshur punës së detyrueshme.

“Për Bajram, mirë se vjen kush dëshiron, e presim, mirëpo nuk e di a kanë me mujtë ku me hi”, tregon me keqardhje ish-referi i basketbollit, të cilit i janë përlyer duart duke e pastruar oborrin nga mbetjet e fatkeqësisë së të shtunës.

Planet s’i dolën as Rifat Hajrizit që ende s’ka ardhur në vete nga vërshimet që ia morën dyqanin.

“Kemi qenë edhe të përgatitur, të furnizuar pak më shumë për Bajram. Tash po pres, po ruaj këtu, po shoh çka mund të rregullojmë”, tregon pronari i marketit me plot mallra të qullura përtokë.

Këtë situatë, pejanët thonë se nuk do ta harrojnë kurrë, por edhe luten që të mos u ndodh më asnjëherë.

“Ishalla kësi Bajrami nuk presim më”, është lutja e Ahmait në këtë ditë të shenjtë.

/GazetaSinjali/