image Në UP nuk përfillen masat kundër pandemisë

Arsim

Në UP nuk përfillen masat kundër pandemisë

news image

Pa ndonjë pengesë, studentët në Fakultetin Juridik e Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” hyjnë brenda objektit ku kanë nisur të mbahen ligjëratat.

Edhe pse të gjitha fakultetet kanë autorizuar të paktën një person që të kontrollojë në hyrje të objekteve nëse po respektohen masat kundër koronavirusit, por të njëjtit, për një kohë të gjatë nuk janë parë në hyrje të fakulteteve.

Mungesë e këtij kontrolli vërehet edhe në fakultetet e tjera, si ai i Arteve dhe ai i Edukatës Fizike.

Prorektori për Zhvillim dhe Cilësi, Elton Bahtiri, thotë se strukturat e fakulteteve kanë vendosur persona përgjegjës për të kontrolluar të gjithë studentët që hyjnë në fakultete nëse janë të vaksinuar kundër koronavirusit.

Megjithatë, ai nuk është i sigurt nëse kontrollohen të gjithë studentët.

“Ky personi përgjegjës duhet të kërkojë nga gjithsecili person që futet në fakultet dëshminë e vaksinimit apo testet e caktuara. Në të kundërtën, ata që nuk janë të vaksinuar duhet të kthehen prapa”, thotë Bahtiri.

Në Rektoratin e UP-së thonë se mbi 84,000 studentë janë të vaksinuar me dozën e parë, ndërsa 58,536 janë të vaksinuar plotësisht, me të dy dozat e vaksinës.

Prodekani i Fakulteti Juridik, Florent Muçaj, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në kuadër të këtij fakulteti personeli i sigurimit është angazhuar që të bëjë kontrollet për vaksinim, ashtu siç kërkohet edhe me vendimin e qeverisë. Sipas tij, këto kontrolle bëhen në mënyrë të rregullt.

Brenda Fakultetit Juridik, në sallat ku mbahen ligjëratat, janë të vendosura shenjat që ua bëjnë me dije studentëve ku duhet të ulen në mënyrë që të mbajnë distancën fizike, të kërkuar sipas masave të qeverisë.

Nexhmie Vokshi, profesoreshë në Fakultetin Ekonomik, thotë se vetëm studentët e vaksinuar dhe ata që ofrojnë dëshmi se nuk janë të infektuar me koronavirus, mund t’i ndjekin ligjëratat.

“Gjithsesi, studentët duhet të jenë të vaksinuar. Ende nuk kemi ndonjë vendim ose rregull se a duhet edhe profesori të kërkojë dëshmi nga studentët se a janë të vaksinuar përveç kontrolleve që u bëhet në hyrje nga sigurimi”, shprehet Vokshi.

Disa punëtorë të sigurimit thanë se nuk ka staf të mjaftueshëm që të kontrollohen të gjithë studentët.

Kontrolle, mesditën e së martës, më 19 tetor, nuk kishte as në hyrje të Fakultetit Filozofik e as në atë të Filologjisë.

Sipas drejtoreshës së Institutit të Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, epidemiologes Teuta Fejza, mosrespektimi i masave mund të rrisë rastet me koronavirus.

“Masat mbrojtëse janë të caktuara dhe nëse ato nuk respektohen kudo, jo vetëm në fakultete, rastet mund të rriten. Në këtë rast, edhe fakultetet mund të jenë burim i infektimeve”, thotë Fejza.

Sipas masave, të cilat janë në fuqi nga data 27 shtator, institucionet, por edhe bizneset e gastronomisë janë të obliguara që të caktojnë një apo më shumë persona përgjegjës, që do të kontrollojnë posedimin e certifikatës së vaksinimit ose testet negative për COVID-19./GazetaSinjali/