image Në të gjithë botën, 366 gazetarë kanë vdekur nga COVID-19

Botë

Në të gjithë botën, 366 gazetarë kanë vdekur nga COVID-19

news image

Të paktën 366 gazetarë nga 47 vende të ndryshme kanë vdekur si pasojë e koronavirusit që nga fillimi i muajit mars, sipas organizatës joqeveritare “Press Emblem Campaign” (PEC).

Sekretari i Përgjithshëm i PEC, me qendër në Gjenevë të Zvicrës, Blaise Lempen, gjatë Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tha se ka një rritje të vdekjeve të gazetarëve nga COVID-19, veçanërisht në Indi ditëve të fundit.

Lempen i bëri thirrje Këshillit me 47 anëtarë që të merret vendim për përforcimin e mbrojtjes së gazetarëve nga pandemia.

Sipas të dhënave të PEC, që nga fillimi i marsit në 47 vende në mbarë botën kanë humbur jetën 366 gazetarë nga COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vdekja më e lartë është në vendet e Amerikës Latine dhe sipas hulumtimit në këto vende kanë humbur jetën 205 punonjës mediatik, në Azi 90, në Evropë 28, në Afrikë 22 dhe në Amerikën Veriore 21. Peruja është në rend të parë me 82 punonjës mediatik, më pas vijon Ekuadori me 40, India 36 dhe Bangladeshi 31.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, në Shqipëri COVID-19 ka prekur 14 gazetarë gjatë 6 muajve të fundit, por nuk ka raste të vdekjeve.

PEC gjithashtu njofton se që nga fillimi i vitit në mbarë botën 54 gazetarë janë vrarë për arsye të ndryshme, kështu që numri i punonjësve mediatik ka tejkaluar shifrën 400. /Gazeta Sinjali/