image Në takimin në New York, Osmani kërkon përmbyllje “urgjente” të çështjes së vizave

Politikë

Në takimin në New York, Osmani kërkon përmbyllje “urgjente” të çështjes së vizave

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka kërkuar përmbyllje “urgjente” të çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjatë takimit me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Borrelli më 20 shtator zhvilloi një takim në New York me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në takim, Osmani tha se ka potencuar edhe përkushtimin e Kosovës për “paqe e stabilitet dhe për rrugën euroatlantike”.

Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk është pjesë e lëvizjes së lirë pa viza në zonën Shengen. Së fundmi, është thënë se ky proces ka hyrë në fazën vendimtare dhe është paralajmëruar se ekziston një momentum i mirë për të shtyrë këtë çështje përpara.

Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, u mbajt në kohën kur në Nju Jork zhvillohen takimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Bashkimi Evropian ende nuk ka dhënë detaje për këtë takim, por burimet diplomatike i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se në këtë takim do të bisedohet për situatën globale, e cila ka ndryshuar pas pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pikërisht, lufta në Ukrainë është përmendur disa herë si arsye shtesë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të zgjidhë sa më shpejt çështjet e hapura, me qëllim që të parandalohen tensionet.

Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve. Vetë Borrell, gjatë rundit të fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që u mbajt pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës – tha se në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës, “nuk është koha për rritjen e tensioneve, është koha të shikohet të gjenden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kamotshme”.

/GazetaSinjali/