image Në Stamboll mbahet protestë kundër NATO-s

Evropë

Në Stamboll mbahet protestë kundër NATO-s

news image

Një protestë anti-NATO është mbajtur të mërkurën në Stamboll të Turqisë, kur Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës tash e një javë.

Nëpër botë janë mbajtur protesta kundër luftës duke kundërshtuar pushtimin nga Rusia. Por, në Turqi është fajësuar NATO për luftën atje dhe është kërkuar që Turqia të largohet nga ajo, raporton AP.

“Rroftë partia komuniste e Turqisë”, “Mos u përkul, thuaji jo luftës”, “NATO, largohu nga Turqia”, kanë qenë disa nga shkrimet në pankartat e tyre.

Rreth 200 persona ishte pjesëmarrës në protestën e organizuar nga Partia Komuniste e Turqisë.

 “Ne jemi kundër NATO-s sepse NATO nuk i sjell asgjë vendit tonë përveç shkatërrimit. NATO-ja është organizatë e luftës”, tha protestuesi, Hikmet Kahraman.

Me brohoritma “NATO, jashtë Turqisë” është përcjellë protesta.

“NATO përfitoi nga operacioni i Rusisë në Ukrainë. Ne nuk jemi mbështetës të Rusisë. Nuk e mbështesim luftën. Ne duhet t’i themi stop agresionit të NATO-s, agresionit racist. Ne kemi një përgjegjësi. Ne jemi një shtet që është anëtar i NATO-s dhe besojmë se duhet të largohemi nga NATO menjëherë”, ka thënë një protestues tjetër, Anil Cinar.

Turqia, anëtare e NATO-s, ka kritikuar agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë, por gjithashtu është përpjekur që të balancojë lidhjet e afërta me Ukrainën me interesin që të mos prishë marrëdhëniet ekonomike me Rusinë.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s dhe aleanca 30-anëtarëshe nuk po intervenon direkt në luftë.

/GazetaSinjali/