Policia maqedonase ka arrestuar 21 persona të dyshuar për trafikim me lëndë narkotike. Gjatë aksionit të njësiteve speciale të policisë, që është realizuar në disa lokalitete në Shkup, është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e drogës, pajisje komunikimi, para ta gatshme, makina si dhe armë.
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, nuk ka bërë të ditur sasinë e lëndës narkotike, por prokurorja Vilma Ruskovska tha se trafikantët ishin nën përcjelljen e policisë për më shumë se një vit.
“Gjatë një viti kemi mbledhur dëshmi të shumta. Janë zbatuar masa të posaçme hetimore, si përgjim i komunikimeve në telefon si dhe përcjellje. Për momentin kemi 21 persona të arrestuar që gjenden në disa stacione të policisë. Në kërkim janë edhe persona të tjerë kështu që do të kemi numër të madh të të arrestuarve”, ka deklaruar prokurorja Ruskovska.
Ajo nuk e përjashtoi mundësinë që pjesë e grupit të jetë edhe ndonjë zyrtar policor, por për momentin nuk ka të kapur asnjë prej tyre, edhe pse dyshimet ekzistojnë mbi lidhjen e tyre të mundshme me trafikantët e drogës.
Ky aksion pas atë të së premtes së kaluar, kur në Rosoman të Strugës policia konfiskoi mbi 26o kilogramë marihuanë. Gjatë aksionit të njësitit special të policisë ishin arrestuar dy persona, njëri nga të cilit mbante me vete një dokument fals të policisë. /GazetaSinjali/