Kanë kaluar më shumë se dy javë nga krimi makabër në Gllogjan, ku u vranë tre persona, Gani Gjokaj, Genta Mustafaj e Ledion Hamzaj nga të shtënat me kallashnikov. Ndërsa të shtunën, si të dyshuar u arrestuan tre persona, babai Halil Mehmetaj, me dy djemtë Kreshnikun e Malsorin, shkruan Gazeta Sinjali.
Por nga ky sulm, Filiant Turkaj nga fshati Dubravë i Deçanit u plagos në këmbë, ndërsa babai i tij, ka folur për gjendjen e tij shëndetësore dhe ka treguar se ai nuk po arrinë t’i ndjekë mësimet.
“Gjendjen shëndetësore e ka të mirë, ka filluar nga pak me lëshu këmbën në tokë, në atë mbrëmje ja kanë hequr plumbin mjekët”, është shprehur babai i Fliantit, Afrim Turkaj.
“Në shkollë nuk po mundet akoma me shku, por mësuesit po i ndihmojnë e po ja përcjellin mësimet në forma të ndryshme, në bazë të atyre po mëson edhe djali”, është shprehur Turkaj për Demos.
Afrimi tha se askush nga institucionet nuk është interesuar për gjendjen e tij shëndetësore.
“Që nga ajo natë, askush nga institucionet nuk është interesuar për gjendjen e djalit, e atë familjare”, ka përfunduar ai.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se njëri nga vëllezërit Mehmetaj dyshohet se është dorasi i vrasjes së trefishtë, ndërsa vëllai tjetër dhe babai dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale ‘vrasje e rëndë’.
Motivi i kësaj vrasje dyshohet se lidhet me vetëvrasjen e studentes 20-vjeçare nga Gllogjani, vajzës dhe motrës së të arrestuarve, Heroina Mehmetajt, e cila i dha fund jetës së saj më 14 qershor 2020.
Pas arrestimit të tre familjarëve, për herë ta parë, në emër të familjes Mehmetaj, ka reaguar djali tjetër i Halil Mehmetajt, i cili e ka mohuar se babai dhe vëllezërit e tij të jenë përfshirë në këtë vrasje, duke deklaruar se ka dëshmi që e vërtetojnë këtë.
“Ne emer te familjes tem,ju drejtohem te gjithve se Babai im dhe dy vellezrit emi jan te pa fajshem,,Familja jon nuk ka asni lidhje me vrasjen ne gllogjan,,Babai ka dhjetra bashkfshatar deshmitar qe ka qen me ta kur ka ndodh tragjedia,,vellau i vogel malsori qe thuhet esht i dyshuar,,jan 100 deshmi qe vertetojn prezencen e ti ne vend punim ne gjakov,,jan kamerat e vendpunimit qe deshmojn pafajsim eti,,Vellau i madh posedon dokumentacion fakte reale qe ka qen i operuar ,,kemi qen te dyt se bashku ne shtepi me nanen ,,,pafajsia e tyre -ejona si familje do te vertetohet“, thuhet në reagim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/