Lëvizja Dveri dhe partia Zavetnici në deklarata të ndara kanë kërkuar që Prokuroria në Serbi të ngris padi ndaj Azem Kurtajt, të dyshuarit për plagosjen e Stefan Stojanoviqit 11 vjeçar dhe Millosh Stojanoviqit 21 vjeçar afër Shtërpcës.
Sipas Dver-it, vetëm duke paditur Kurtajn do të dërgohej mesazhi se “me të vërtetë dëshirohej riintegrimi i plotë i Kosovës në rendin kushtetues dhe juridik të Serbisë,”
“Nëse duam që në vendet e tjera të na respektojnë, para së gjithash duhet të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë,” – thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje, përcjell Kosovo-Online.
Ndërkohë, partia Zavetnici ka kërkuar ngritje të aktakuzës për “veprën penale të terrorizmit dhe vrasjen e rëndë në tentativë,”
Ata kanë thënë se autoritetet shetëtore serbe kanë të drejtë dhe obligim që të ndjekin veprat penale në Kosovë.
Kujtojmë që sot në Shterpcë u mbajt një protestë për këtë rast e organizuar nga Lista Serbe. Aty foli edhe kryetari i kësaj partie Goran Rakiq, por edhe figura të tjera.
Azem Kurtaj do të qëndrojë për 30 ditë në paraburgim ka vendosur ndërkohë Gjykata Themelore në Ferizaj.