image Në përvjetorin e vdekjes, Haziri kërkon drejtësi për Agon Musliun

Sociale

Në përvjetorin e vdekjes, Haziri kërkon drejtësi për Agon Musliun

news image

Kryetari i Komunës së Gjilanit e ka kujtuar sot Agon Musliun, të riun nga Gjilani i cili ndërroi jetë më 3 maj të vitit të kaluar, pasi që ra nga kati i pestë i konviktit numër 7 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Kjo qendër atëkohë ishte shndërruar në karantinë për të gjithë qytetarët që ktheheshin nga vendet e huaja dhe Agoni ishte karantinuar pasi që ishte kthyer nga Gjermania, aty ku po vazhdonte studimet për master.

Në përvjetorin e vdekjes së 26-vjeçarit, Haziri ka kërkuar drejtësi që ky rast të zbardhet deri në fund.

Këtë rast i pari i Gjilanit e ka quajtur njollë të zezë e Kosovës në fillim të pandemisë, raporton Gazeta Sinjali.

“Sot, një vit Kosova e humbi tragjikisht një djalosh, që potencialisht do të ishte e ardhmja e Kosovës. Agon Musliu ishte student i shkëlqyer të masterit, i cili sapo kishte nisur hapat e tij të profilizimit, në Gjermani. Kërkoj sërish nga organet e drejtësisë që të zbardhet deri në fund kjo njollë e zezë e Kosovës në fillim të pandemisë. Kërkojmë drejtësi për Agonin. Kosovës, Gjilanit e në veçanti familjes së tij, i duhet drejtësia”, shkroi Haziri në Facebook.

Prokuroria Themelore në Prishtinë është ende duke vazhduar hetimet për zbardhjen e këtij rasti./Gazeta Sinjali/