image Në MTI për një vit 'avullohen' gjysmë milioni euro, zyrtari për eksport shpenzoi gati trefish më shumë se shefi i tij

Kosovë

Në MTI për një vit ‘avullohen’ gjysmë milioni euro, zyrtari për eksport shpenzoi gati trefish më shumë se shefi i tij

news image

Zyrtari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Kreshnik Rugova, i vetëm, për dy vjet ka arritur t’ia harxhojë buxhetit të Kosovës afro 40 mijë euro.

Si zyrtar i lartë për promovim të eksportit në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Rugova i ka rritur shpenzimet çdo vit e më shumë, duke bërë që fatura e e shpenzimeve të tij për dy vjet të shkojë saktësisht në 38 mijë e 501 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë vitit 2018, Rugova kishte shpenzuar hiç më pak se 11 mijë e 286 euro. Në vitin pasardhës, 2019, ai ishte më aktiv në udhëtime, duke i shpenzuar 27 mijë e 215 euro.

Për akomodim, Kreshnik Rugova ka shpenzuar më shumë se 11 mijë e 500 euro, ndërsa për ushqim dhe mëditje më shumë 5 mijë e 600 euro.

Biletat e udhëtimeve i kanë kushtuar Rugovës mbi 5 mijë e 700 euro, ndërsa në kategorinë e shpenzimeve të tjera shkon në 4 mijë e 300 euro shuma e parave të shpenzuara.

Rugova, si zyrtar i lartë i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë ka shpenzuar më shumë sesa shumë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme për vite me radhë.

Institucioni ku punon Rugova, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së udhëhequr nga Endrit Shala, ka qenë i angazhuar për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve, mbështetjen e zbatimin e politikave dhe programeve publike në fushën e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe për zhvillimin e politikave lidhur me themelimin dhe zhvillimin e zonave ekonomike.

Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Sinjali, gati gjysmë milioni euro shpenzime për udhëtime zyrtare jashtë vendit vetëm gjatë 2019-s ka bërë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Në nivel të Ministrisë së Tregtisë, zyrtarët që udhëtuan zyrtarisht jashtë vendit, shpenzuan saktësisht 438 mijë 698 euro.

I pari për shumën më të madhe të shpenzuar, është Kreshnik Rugova, i cili ka shpenzuar gati trefish më shumë sesa ‘shefi’ i tij në intitucionin ku punon, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të KIESA-s, Nol Buzhala, i cili ka shpenzuar 11 mijë e 160 euro.

Shpenzimet për akomodim gjatë 2019-s të gjithë zyrtarëve të MTI-së për udhëtime zyrtare i kushtuan buxhetit të shtetit më shumë se 136 mijë euro. /Gazeta Sinjali/