Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i falë të gjithë qytetarët që u dënuan gjatë periudhës sa ishin masat rigoroze të kufizimit të lëvizjes. Haxhiu ka thënë se ato masa ishin kundërkushtetuese, prandaj, sipas saj, ato dënime janë të paligjshme.
“Po kërkoj unë që Qeveria legjitime të marr vendim që të falen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët me vendimet e Qeverisë Kurti u ndëshkuan duke u dënuar dhe arrestuar për shkak të vendimeve që ishin antiligjore dhe antikushtetuese. Gjykata Kushtetuese tregoi që ishin kundërkushtetuese”, tha ajo.
Haxhiu shtoi se Avokati i Popullit ka kërkuar që këta qytetarë të dëmshpërblehen, mirëpo sipas saj, më e pakta që mund të bëhet është falja e atyre dënimeve.
“Thjesht, Qeveria Hoti të marr vendim për t’i falur të gjithë qytetarët që u drejtuan padrejtësisht. Avokati i Popullit ka kërkuar edhe dëmshpërblim, por më e pakta që mund të bëhet është falja e atyre dënimeve”, ka thënë ajo. /Gazeta Sinjali/