Sot pritet të lirohet nga Klinika Infektive e QKUK lehona e infektuar me Covid-19, e cila solli në jetë një foshnje.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, i cili njoftoi se gjendja e saj dhe e foshnjës është stabile, por shtoi se po presin që IKShP-ja të vendosë nëse ka nevojë për testimin e foshnjës.
“Pacientja ka lindur mbrëmë pas orës 21:00. Lindja ka qenë normale, gjendja e përgjithshme e nënës dhe foshnjës është e mirë. Sot vizituam në mëngjes dhe brenda ditës pritet të lirohen në shtëpi në konsultim me rekomandimet e IKShP-së nëse ka nevojë për testim ose analizë tjetër”, tha Ismaili.
Veç kësaj, Ismaili ka treguar se në Klinikën Infektive është duke u trajtuar edhe një paciente shtatzënë, për të cilën tha se është në gjendje stabile.
“Edhe një paciente tjetër shtatzënë me koronavirus është hospitalizuar në Klinikën Infektive, është në javën e 36-të të shtatzanisë, është shtatzënia e tretë me radhë dy lindjet tjera i ka me prerje cezariane, prandaj edhe kjo lindje duhet të kryhet në atë mënrë. Gjendja e saj dhe e foshnjës është e mirë, po monitorohet çdo ditë me ultrazë dhe me CTG. Sot ishte edhe ekipi kujdestar për ta vizituar dhe na informuan se gjendja e tyre është e mirë, por po presim kushtet e duhura që në javën tjetër, nëse nuk përkeqësohet gjendja ta përfundojmë lindjen”, ka përnfunduar Ismaili./GazetaSinjali/