image Në Gjilan gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 20 pacientë nga COVID-19

Shëndetësi

Në Gjilan gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 20 pacientë nga COVID-19

news image

Komiteti i emergjencave për parandalimin e pandemisë globale kundër COVID-19 në Gjilan, gjatë takimit të mbajtur sot, ka vlerësuar gjendjen në 24 orët e fundit dhe konfirmon vetëm 4 raste pozitive kurse 20 pacientë janë shëruar plotësisht, transmeton Gazeta Sinjali.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, duke iu referuar statistikave ka theksuar se me disiplinë dhe vendosmëri të përgjithshme në respektimin e rekomandimeve të shtetit, do të arrihet ulja e trajektores me raste pozitive deri në pikën zero.

“Bazuar në statistikat e javëve të fundit shihet një rënie e vazhdueshme e të infektuarve me COVID-19. Në rezultatet e sotme kemi vetëm 88 raste aktive me COVID-19, prej 946 rasteve sa kemi të regjistruara në totalin e përballjes me pandeminë nga 13 marsi. Kështu, raste të shëruara plotësisht janë gjithsej 817, ndërsa në këtë luftë kundër COVID-19, kanë humbur jetën 41 qytetarë. Mostra në pritje janë 42 qytetarë dhe 19 edukatore nga çerdhet private dhe shpresojmë që edhe këto të jenë negative. Nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve në Spitalin Regjional janë gjithsej 26 pacientë, të cilët konfirmohen me gjendje stabile dhe me simptoma të lehta”, tha kryetari Haziri.

Haziri ka apeluar te të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit dhe veçanërisht te të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit, që vazhdimisht t’i bartin maskat dhe masat tjera mbrojtëse për të qenë larg mundësisë së infektimit. /Gazeta Sinjali/