image Ndodh edhe kjo: Fqinji kërcënon fqinjin me armë zjarri në oborr të shtëpisë për shkak se u lidh në “wi-fi”-në e tij

Siguri

Ndodh edhe kjo: Fqinji kërcënon fqinjin me armë zjarri në oborr të shtëpisë për shkak se u lidh në “wi-fi”-në e tij

news image

Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur sot në fshatin Bllacë të Suharekës, ku plasi sherri mes fqinjëve për shkak të internetit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në orët e pasdites, kur një qytetar i shkoi fqinjit të tij në oborr duke e kërcënuar me armë zjarri.

Gjithçka dyshohet se ndodhi për shkak se viktima ishte kyçur në “wi-fi”-në e të dyshuarit, në mënyrë të parregullt.

Kjo siç duket e tensionoi të dyshuarin, i cili mori një fqinj tjetër dhe i shkoi papritmas viktimës në oborrin e shtëpisë, duke e kanosur më jetë.

Pasi kreu “punën” i dyshuari është larguar nga shtëpia e fqinjit, por rasti nuk mbaroi këtu. Viktima që u përball me kërcënim në shtëpinë e tij, vendosi ta denoncojë rastin në stacion policor.

Një patrullë policore i është përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë intervistuar të dyshuarin, i cili e ka pranuar se ka kanosur fqinjin e tij.

Lidhur me këtë rast Prokuroria ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rast dhe i njëjti të hetohet për veprën penale “Kanosje”.

/GazetaSinjali/