Pas përhapjes së koronavirusit numri i atyre që kanë vizituar qytetin historik të Prizrenin ka rënë dukshëm.
Ekonomia e këtij qytetit varet kryesisht nga zhvillimi i turizmit dhe hotelerisë, ku të punësuar janë mbi 1 mijë e 200 persona, e që rrezikojnë të humbin vendet e tyre të punës.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se pandemia përveç në turizëm ka ndikuar edhe në blegtori, ku mbi 16 mijë qengja u kanë mbetur kultivuesve të tyre pa shitur.
“Prizreni është qytet i cili varet shumë prej turizmit dhe hotelerisë ku në këtë sektorë sipas statistikave tona janë të punësuar mbi 1 200 persona dhe ky sektorë ka pasur goditjen më të madhe, por në të njëjtën kohë nuk kemi edhe vizitorë. Efekti ekonomik është shumë negativ sidomos në sektorin e turizmit pos kësaj edhe në blegtori, blegtorët kanë pasur probleme me shitjen e kingjave janë diku rreth 16 mijë kingja sivjet të cilët nuk kanë mundur të gjejnë treg për shkak se restorante janë të mbyllura dhe është ulë konsumi i mishit të kingjit”, ka thënë ai për EO.
Hasakuka ka paralajmëruar marrjen e disa masave për tu dal në ndihmë bizneseve.
“Të gjitha këto jemi duke i analizuar dhe kemi pasur shumë takime me grupe të bizneseve pak janë gjërat që ne mund të bëjmë më shumë në aspektin e infrastrukturës dhe në aspektin e lehtësimit të disa obligimeve të cilat ata i kanë. Në mbledhjen e asamblesë komunale do të kalojmë një vendim ku bizneset nuk do të paguajnë taksat komunale, do të heqim edhe taksën për shfrytëzimin e hapësirave publike si dhe do ta heqim edhe qiratë komunale për kohën kur ata nuk kanë funksionuar”, ka përfunduar ai./GazetaSinjali/