image Ndërrmarrja “Ambienti” në Pejë s’e bën hesap vendimin e Inspektoratit, shefja e Financave s’lejohet as sot të hyjë në zyrë

Politikë

Ndërrmarrja “Ambienti” në Pejë s’e bën hesap vendimin e Inspektoratit, shefja e Financave s’lejohet as sot të hyjë në zyrë

news image

Zyrtarja kryesore e Financave në Ndërmarrjen Publike “Ambienti” në Pejë, Afërdita Grapci nuk është lejuar as sot të hyjë në zyrën e saj, edhe pse Inspektorati i Punës e rrëzoi vendimin e bordit për shkarkimin e saj. Ankesa e saj u konstatua se ishte e bazuar, me ç’rast kryetari i bordit të kësaj ndërmarrje, Arton Muhaxheri u gjobit me mbi 2 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.

Fillimisht ajo dje nuk është lejuar të hyjë fare në objektin e KRM “Ambienti”, teksa sot ka qenë brenda hapësirave të ndërmarrjes, por jo edhe në zyrën e saj, për të cilën thotë se është “uzurpuar”.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Grapci ka deklaruar se sekretari i ndërmarrjes i ka thënë se Bordi i Drejtorëve nuk e njeh vendimin e Inspektoratit të Punës dhe i qëndron pas vendimit që kanë marrë më 6 janar të këtij viti.

“Në objekt sot kam hyrë, por jo në zyre, sepse aty është uzurpuar nga ushtruesi i detyrës. Sekretari i ndërmarrjes më tha se bordi ka qëndrim të prerë që nuk e njeh vendimin e Inspektoratit të Punës, sepse e llogaritë si të kundërligjshëm dhe se mbesin pranë vendimit për shkarkim”, tha ajo.

Grapci tha se bordi është duke vazhduar të bëjë trysni ndaj punëtorëve që të mos e lejojnë të hyjë brenda hapësirave të ndërmarrjes.

“Bazuar në vendimin e Inspektoratit mua më duhet të shkoj çdo ditë në punë sepse edhe vendimi e thotë se edhe nëse ka ankesë, nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit. Bordi nuk po merr vendim me shkrim, por po bën trysni te që të mos më lejohet hyrja, si dhe të mos më pranojnë”, tha ajo tutje për Sinjalin.

Në fund, Grapci shtoi se kryetari i bordit, Arton Muhaxheri “do të jap përgjegjësi për shpifjet dhe fyerjet e të pavërtetat që i ka bërë ndaj meje”.

Vendimi i Inspektoratit të Punës

Në vendimin e marrë nga Inspektorati thuhet se Arton Muhaxheri është përgjegjës për shkeljen e nenit 72, pasi me vendimin për shkarkimin e Grapcit nuk i ka respektuar procedurat para ndërprerjes së kontratës, si dhe për nenin 78, për shkak se nuk ka vendosur lidhur me ankesën e Grapcit brenda afatit që parashihet.

Si rrjedhojë, Inspektorati ka marrë vendim që Muhaxherit t’ia shqiptojë gjobën prej 2 mijë e 300 eurove, të cilën duhet ta paguajë në afat prej 15 ditësh.

Sipas Inspektoratit, Afërdita Grapci është shkarkuar nga puna me arsyetimin se “ka dështuar në ushtrimin e funksionit dhe detyrave të cilat i janë ngarkuar, ka humbur besueshmëria e Bordit të Drejtorëve, nuk ka reflektuar ndaj rekomandimeve të Bordit, prezantimi jo i drejtë dhe jo i saktë i raporteve financiare mujore.” Për këtë vendim, ajo ka parashtruar ankesë, ku e ka kontestuar këtë vendim. Lidhur me këtë ankesë, e njëjta s’ka marrë përgjigje me shkrim.

Prandaj, ajo ka kërkuar mbrojtje ligjore nga Inspektorati i Punës, kërkesë kjo që është vlerësuar si e bazuar.

Me vendimin mbi shkarkimin nga pozita, Grapcit nuk i është ndërprerë marrëdhënia e punës pranë ndërmarrjes “Ambienti”, siç parashihet me Ligjin për Ndërmarrjet publike.

Sipas Inspektoratit, arsyetimi i ndërmarrjes për shkarkimin e Grapcit “nuk tregon asgjë sepse nuk ka asgjë të konkretizuar dhe të bazuar në prova.”

Përveç kësaj Afërdita Grapcit i është mohuar e drejta për t’u ankuar, siç parashihet me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Pas këtyre konstatimeve, Inspektorati i Punës ka përpiluar raport zyrtar, me ç’rast ankuesja dhe ndërmarrja “Ambienti” kanë parashtruar vërejtje.

Por, sipas Inspektoratit vërejtjet nuk kanë bazë ligjore, prandaj, vendimi për shqiptimin e gjobës ndaj Arton Muhaxherit, si kryetar i Bordit të drejtorëve është adekuat.

/GazetaSinjali/