image Ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka zvarritur çështjen e personave të pagjetur

Sociale

Ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka zvarritur çështjen e personave të pagjetur

news image

Ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka bërë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur të zvarritet, kështu thonë familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini, shprehet pesimist rreth zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, pasi sipas tij puna në gërmimet e fundit si në Kizhevak, por edhe në lokacione tjera po cilësohet si një lojë politike.

“Është mëkat shumë i madh me luajt në këtë lokacion i cili është punuar pesë vite dhe është ditur pika se ku gjinden, ka pasur dëshmitarë, janë treguar imazhet satelitore. Është një lojë politike kaq e rëndë në të cilën zemrat neve po donë me na plas. Unë po them që mjaftë më politizime”, tha Qerkini.

Tutje, Qerkini u shpreh se mos të pret askush që Serbia do t’i hap arkivat ushtarake pa ndonjë presion të madh, dhe si zgjidhje të vetme ai e sheh ndihmën e ndërkombëtarëve, që fati i Kosovës mos të mbetet në duart e Serbisë.

“Arkivat i kanë kërkuar moti, kanë thënë se ne i hapim, por tek ne është përgjigja që UÇK nuk ka pasur arkiva. Mirëpo, mos të pret askush që Serbia t’i hap arkivat pa një presion të madh. Kush mund të na ndihmojë pa arkivat e Serbisë? E ata janë vetëm ndërkombëtarët, si në varreza masive që na tregojnë përmes imazheve satelitore, dhe procesi të mos ngec nga duart e Serbisë”, theksoi ai.

Lidhur me pritshmërinë e tyre në të ardhmen dhe ndihmën e Qeverisë, ai tha që shumë pak presin për zbardhjen e fatit të personave të pagjeturve, pasi sipas tij është premtuar shumë, mirëpo procesi ka ngecje të mëdha.

Kemi biseduar në Parlament për çështjen e të pagjeturve, është premtuar shumë, kërkesat tona kanë qenë të përgjithshme dhe ne duam vetëm të përshpejtohet procesi. Kemi folur me secilin dhe ka fjalë të mira sa të duash, por shkoj një kohë e gjatë në formimin e grupit punues, dhe ka stagnuar ky proces”, përfundoi Qerkini.

Fati i të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë duhet të mbetet akoma sfidë për të gjithë duke marrë për bazë edhe angazhimin e paktë të institucioneve dhe ndërrimin e qeverive po vlerëson edhe Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës në Kosovë.

Grajqevci, shtoi se edhe ndërrimi i shpeshtë i pushteteve, por edhe ekspertëve ka bërë që kjo çështje të zvarritet deri më tani.

Po është zhargitur bukur gjatë çështja e Kizhevakut, do të thotë nuk ka qenë problemi i zyrtarëve të Kosovës, por i zyrtarëve të qeverisë që e kanë neglizhuar këtë proces. Do të thotë procesi për atë numër që është gjetur nga regjioni i Drenicës falënderoj ekipin e mjeko-ligjorëve të pandalshëm në kohën kur ju ka mundësuar kushtet atmosferike është kryer dhe ka përfunduar ky proces, por ka akoma dhe procese tjera”, u shpreh Grajqevci për EO.

“Po ne kemi pasur vështirësi me ndërrimin e qeverive gjithmonë sepse na janë ndërruar ekspertët e komisionit, dhe kësaj here kemi pasur shumë vështirësi pasi një kohe bukur të gjatë kemi qenë edhe pa kryetar të komisionit dhe tash kemi Andin Hoti, një punëtor i cili do punojë mirë, por neglizhencë jemi, dhe institucionet duhet t’i qasen pak më seriozisht kësaj punë sepse kanë kaluar shumë vite”, përfundoi ai. /GazetaSinjali/